Voices from Europe & Central Asia
Syndicate content

Zhvillimi i Ekonomisë Digjitale të Kosovës

Natalija Gelvanovska-Garcia's picture
Also available in: English | Српски | Русский



















Ndoshta askush nuk e ka formuluar më mirë rëndësinë e internetit broadband me shpejtësi të madhe, të besueshëm dhe të përballueshëm se sa Matt Dun nga gazeta online The Hill, i cili ka potencuar se interneti është litari i shpëtimit të një fshati apo qyteti të vogël nga izolimi gjeografik, lidhja e tij me softuerët dhe shërbimet e biznesit dhe përçuesi i tij për eksportimin e ideve dhe produkteve të krijuara brenda vendit.
 
Merreni si shembull fshatin e Breznicës jashtë komunës së Prishtinës në Kosovë. Një vit më parë, unë e kam parë popullatën e tij duke u orvatur që të lidhej me botën e jashtme duke u mbështetur në lidhjet e paqëndrueshme pa tela. Asokohe, asnjë ofrues i shërbimeve të internetit (OShI) nuk ishte i interesuar që të instalonte një lidhje mjaftueshëm të mirë për shkak të specifikave të terrenit dhe dendësisë së ulët të popullatës së këtij fshati. Kam folur me një drejtoreshë të një shkolle lokale së cilës i është dashur t’i merrte notat e nxënësve në shtëpi për t’i shënuar në një ditar elektronik, për shkak të mungesës së internetit në zyrën e saj. Kujtim tjetër është një klasë për mësim të teknonologjisë informative të mobiluar mirë por pa internet broadband funksional dhe, si rezultat i kësaj, me kompjuterë të mbuluar nga pluhuri.
 
Para disa javëve kam shkuar përsëri në Breznicë, këtë herë për ta vëzhguar vendosjen e një rrjeti të fibrave optikë. Deri në vjeshtë, fshatarët e Breznicës do të jenë në gjendje të kenë qasje në broadband komercial me çmime të njëjta me ato që ofrohen në kryeqytetin e Prishtinës. Shkolla dhe spitali lokal do të kenë qasje në internet pa pagesë prej deri në 1 gigabitë për sekondë për pesë vitet e ardhshme. E tërë kjo është bërë e mundur falë pilot projektit të Ministrisë për Zhvillim Ekonomik të Kosovës, në kuadër të të cilit buxheti qendror ka ndarë fonde për ta testuar një skemë publiko-private në disa zona rurale nëpër komuna të ndryshme. Sipas kësaj skeme, sektori privat (OShI), stimulohet nëpërmjet një bashkinvestimi publik që të vendos rrjet me shpejtësi të madhe duke i mundësuar secilës familje qasje në 100 megabitë për sekondë në një lokacion pilot. Konkurrenca e hapur siguron që OShI të ofertojë me ofertën më të lirë dhe me të kërkohet që të përzgjidhet shuma më e ulët që kërkohet për t’u financuar nga qeveria dhe për ta realizuar projektin. Kam dëgjuar se banorët e Breznicës janë të gëzuar që më në fund ‘litari i shpëtimit’ është hedhur në drejtim të tyre. Edhe pilot komunat e mirëpresin këtë investim dhe u kontribuojnë pilot projekteve duke i hequr taksat komunale ndaj infrastrukturës së vendosur dhe duke i proceduar shpejt lejet e ndërtimit.
 
Lajmi i mirë nuk përfundon këtu; pilot programi do të zgjerohet. Nga viti 2019 e deri në vitin 2023, mbi 200 fshatrave gjithandej Kosovës do t’u ofrohet qasje në internetin broadband të shpejtësisë së madhe, ndërsa shkollat dhe spitalet e tyre do të jenë të lidhura pa pagesë për pesë vite. Sipas Projektit të Ekonomisë Digjitale në Kosovë (KODE), që sapo është aprovuar nga Bordi i Grupit të Bankës Botërore, pjesa më e madhe e investimit (afro 12 milionë euro) do të ndahen për plotësimin e zbrazëtirave të konektivitetit digjital, veçanërisht në zonat që nuk kanë qasje në broadband komercial. Aranzhimi publiko-privat, i cila po testohet në Breznicë dhe në fshatra të tjera, do të rritet në zgjerohet në kuadër të projektit KODE. Është planifikuar që nga ky intervenim të përfitojnë më shumë se 60,000 banorë të zonave rurale. Më në fund, konektiviteti i kolegjeve dhe universiteteve do të përforcohet shumë duke u lidhur me GÉANT, rrjet ky që i ndërlidh organizatat evropiane kombëtare të hulumtimit dhe arsimit nëpërmjet boshtit tejet të qëndrueshëm të broadband-it mbarevropian.
 
Investimet e vrazhda do të duhej të plotësoheshin teorikisht me përdorimin e ‘shkathtësive personale’ në të ashtuquajturën bazë analoge të ekonomisë digjitale: shkathtësitë, rregullat dhe ndërtimi i kapaciteteve institucionale. Duke e ndjekur këtë qasje, KODE do të ofrojë asistencë teknike dhe aktivitete të ndërtimit të kapaciteteve për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP-in) për ta mundësuar një mjedis politik, ligjor dhe rregullativ aftësues dhe për ta mbështetur vënien në përdorim të infrastrukturës së broadband-it me shpejtësi të madhe, menaxhimin e spektrit dhe temat që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të broadband-it pa tela në mbarë vendin. Përveç kësaj, ky projekt do ta lehtësojë qasjen më të madhe të kosovarëve në njohuri, informata dhe shërbime nëpërmjet mbështetjes për ta krijuar Rrjetin Kombëtar për Hulumtim dhe Arsim (RrKHA) dhe Programin e Vetëdijes Digjitale, që në veçanti do t’i synojnë amvisëritë në zonat në të cilat konektiviteti me broadband tokësor do të vendoset për herë të parë nëpërmjet këtij Projekti.
 
E fundit për nga rendi, por jo edhe nga rëndësia, qeveria ka insistuar në zgjerimin e pilot projektit Gratë në Punën Online (WoW), të cilin e ka realizuar Banka dhe donatorët e tjerë në Kosovë gjatë viteve 2015-2017, me një financim fillestar përmes një granti nga Fondi Korean i Mirëbesimit për Zhvillim të Gjelbër. Pilot projekti WoW i ka trajnuar qindra gra të reja të papunësuara apo të punësuara përkohësisht në rrjedha të ndryshme të punës së pavarur online. Në kuadër të pilot fazave të financuara nga Banka, trajnimin e kanë përfunduar 85 përfituese, me së paku një kontratë online në xhep; përfitimet e tyre të përbashkëta kanë arritur rreth 30,000 dollarë amerikanë. Projekti KODE do ta përsërisë pilot projektin tejet të suksesshëm WoW duke e themeluar Programin Rinia Online dhe Lart (YOU) me qëllimin për t’i trajnuar 2,000 të rinj e të reja në krijimin e ueb faqeve të skajit frontal, dizajn grafik dhe optimizim të motorit kërkues. Pritet që, me një investim modest në trajnim, të rinjtë e papunë dhe të punësuar përkohësisht, nga shumë zona rurale, do të mund të fitojnë nëpërmjet aktiviteteve të punës së pavarur dhe madje të fitojnë edhe vende të punës me orar të plotë, për herë të parë.
 
Sot, mungesa e qasjes në broadband është mungesë e mundësisë për pasur punë më të mirë dhe më fleksibile, qasje në njohuri të avancuara, dhe për të marrë mësime, si dhe kontakt të përgjithshëm me njerëz jashtë vendndodhjes. Shpresoj se kosovarët, posaçërisht nga zonat rurale, do ta shfrytëzojnë litarin e shpëtimit që u është prezantuar nëpërmjet projektit KODE dhe se, si rezultat i kësaj, do ta jetojnë një jetë më të lumtur, më plotësuese dhe më prosperuese.

Add new comment