Krijimi i besimit te qeveria

|

This page in:


Teksti i mesazhit që qeveria u dërgon qytetarëve në përpjekje për të parandaluar korrupsionin.
Qytetarët shqiptarë që kohët e fundit kanë marrë shërbim në një spital shtetëror kanë gjasa të marrin një tekst mesazhi në celular që shkruan pak a shumë kështu: “Përshëndetje, unë jam Bledi Cuci, Ministër Shteti për Anti-Korrupsionin. Të dhënat tona tregojnë se kohët e fundit ju keni marrë shërbim në një spital shtetëror. A mund të më thoni, ju lutem, nëse ju është kërkuar të paguani ryshfet? Përgjigjja është falas. Faleminderit për kohën”.

Fushata me SMS, e mbështetur nga Banka Botërore dhe e zbatuar nga Ministria e Shtetit për Çështje Vendore dhe Anti-Korrupsion, u prezantua në 9 mars 2015.

Deri në fillim të qershorit, ajo ka përfshirë më shumë se 33.500 qytetarë në një vend prej tre milion banorësh. Janë përgjigjur rreth 20 për qind e qytetarëve që kanë marrë mesazh, duke raportuar shumë probleme në ofrimin e shërbimit.

“Mjekët vijnë gjithnjë me vonesë dhe korrupsioni vazhdon si përherë. Pa dhënë para, askush nuk kujdeset për ty”, thuhet në një përgjigje. Ka të tjerë që ankohen për mungesë pastërtie ose për mungesë ilaçesh. “Jo nuk na kërkuan ryshfet, por na u desh t’i blinim të gjitha ilaçet jashtë spitalit, sepse nuk kishin asgjë”. 
Qytetarët që kishin marrë shërbime në tri zyra të regjistrimit të pasurive thonë se koha e marrjes së shërbimit është e paparashikueshme, ka vonesa në përpunimin e kërkesave, radhë të gjata, ndërsa disa të tjerë nënkuptonin kërkesa të pashprehura, ose të shprehura për ryshfete: “Mua nuk më kërkuan ryshfet, por problemi në zyrën e pasurive është se askush nuk u përmbahet afateve që ka vendosur ligji”.

Ndryshe nga linja telefonike e drejtpërdrejtë anti-korrupsion, kjo iniciativë është parandaluese. Pavarësisht se qeveria i ndjek rastet e raportuara të korrupsionit, qëllimi kryesor i këtij mekanizmi është të identifikojë tendencat: A ka më shumë ankesa në vijimësi ndaj një zyre të regjistrimit të pasurive ose një pavijoni të një spitali? 

Cila është natyra e zakonshme e ankesave për të ndihmuar në planifikimin e një reagimi? A mundet të identifikohet një administrator i dobët?

Qëllimi i kontaktit parandalues me qytetarët është të luftohet korrupsioni duke krijuar besim te qeveria. Janë zgjedhur spitalet dhe zyrat e regjistrimit të pasurive, sepse në një sondazh të kohëve të fundit të UNODC-ut, ato kishin nivelet më të larta të korrupsionit në Shqipëri.

​Besimi i pakët te qeveria çon jo vetëm në përdorimin e mjeteve informale të marrjes së shërbimeve dhe në një gatishmëri më të vogël për të paguar taksa, por edhe në pakësimin e burimeve të qeverisë për të paguar shërbimet publike, duke plotësuar kështu një qark vicioz mosbesimi dhe korrupsioni.

​Duke mbledhur paraprakisht mendimet e qytetarëve dhe duke i përdorur ato për veprime administruese, ky rreth vicioz mund të prishet.

Ekipi i Bankës e solli këtë program novator në Shqipëri nga Penxhabi, Pakistan, ku ai filloi të përdoret për herë të parë. Janë kontaktuar më shumë se shtatë milionë qytetarë dhe rreth një milion i janë përgjigjur atij gjatë tri viteve të fundit.

Zyra e kryesekretarit i ka përdorur përgjigjet e dhëna nga rreth 10.000 qytetarë të kontaktuar çdo ditë për të monitoruar rregullisht punën e punonjësve të rrethit. Programi tani po zgjerohet në nivelin federal.

Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, bëri një emër të mirë si kryetar i Bashkisë së Tiranës përmes një iniciative të mirënjohur, e cila synonte të përmirësonte mirëqenien e qytetarëve, të krijonte besim dhe të luftonte korrupsionin, duke ia bërë realisht të qartë atyre se qeveria kujdesej për mirëqenien e tyre.

Nuk është çudi që një fushatë me mesazhe me tekst, e cila i shërben një qëllimi të ngjashëm, është mjaft tërheqëse për vendimmarrësit e lartë të Shqipërisë. Sot Kryeministri është i interesuar ta zgjerojë këtë iniciativë të re për të përfshirë në të më shumë shërbime.

Reagimi i qytetarëve është entuziast. Në një përgjigje të tillë pas marrjes së shërbimit në spitalit e Durrësit vihet në dukje: “Unë kam qenë edhe më parë në spital, por kësaj here e ndjeje ndryshimin. Askush nuk na kërkoi ryshfet”.  Një person tjetër shkruante nga Korça, “Në asnjë mënyrë jo, sjellja e mjekëve ishte shumë korrekte. Ishte hera e parë që na treguan një mbështetje të tillë”.

Ndonëse është sigurisht tepër herët për ta quajtur të suksesshme këtë iniciativë, një model është duke u krijuar si në Shqipëri, ashtu edhe në Pakistan.  Një përqindje e konsiderueshme e qytetarëve e vlerësojnë gjithnjë e më shumë se shteti po i kontakton ata paraprakisht për t’i pyetur për mirëqenien e tyre: “Tungjatjeta zoti Ministër. Po, isha në spitalin e Durrësit dhe jam i kënaqur me shërbimin. Askush nuk më kërkoi ryshfet, “ i përgjigjet një qytetar me mirënjohje ministrit. “Faleminderit që më pyetët”.
 

Authors

Jana Kunicova

Senior Public Sector Specialist

Zubair Bhatti

Sr. Public Sector Management Specialist

Join the Conversation