Syndicate content

Shfrytëzimi i përbashkët i infrastrukturës në sektorin e energjisë dhe zhvillimit digjital: mësime të nxjerra nga bashkëpunimi ndërsektorial

Natalija Gelvanovska-Garcia's picture


Photo: gui jun peng/Shutterstock.com

Në shumë pjesë të botës, individët shfrytezojnë të ashtuquajturën “ekonomia e ndarjes” (sharing economy), që u lejon atyre të përdorimin e pasurive personale - për shembull, shtëpitë dhe makinat - në potencialin e tyre të plotë. Nëse e keni ndërmend të largoheni për një periudhë kohore, pse mos ta jepni me qira hapësirën tuaj për të fituar edhe ndonjë para shtesë?
 
Një dukuri e tillë ekziston në ekonominë e infrastrukturës, ku shkalla e shfrytëzimit të aseteve ka rëndësi për koston përfundimtare. Kur më shumë konsumatorë përdorin të njëjtën infrastrukturë më shpesh, kostoja për njësi për të gjithë konsumatorët ulet. Projektet e kohëve të fundit  të ekipeve të Bankës Botërore me ekspertizë mbi zhvillimin digjital dhe energjinë e demonstrojnë këtë.

Rrjetet digjitale dhe të energjisë elektrike bëjnë lidhjen e konsumatorëve në mënyra të ngjashme. Edhe rrjetet digjitale edhe ato të energjisë elektrike janë  rrjete të gjëra shpërndarëse, mirëpo pavarësisht nga kjo,  kostoja për t’i ndërtuar ose zgjeruar këto rrjete bëhet  e konsiderueshme. Me shfrytëzimin e përbashkët të rrjeteve dhe duke punuar së bashku, këta dy sektorë mund të ndihmojnë njëri-tjetrit në arritjen e synimeve të qasjes dhe cilësisë së shërbimit duke e ndarë koston.

Gjersa përdoruesit e fundor e shohin konektivitetin digjital në drejtim të modeleve pa tel (wireless), vlen të theksohet se prapa të gjitha lidhjeve pa tela qëndron një infrastrukturë e fortë kabllore. Shërbimet pa tel të cilësisë së lartë kërkojnë shpejtësi drite, të arritshme vetëm nëpërmjet kabllove me fibra optikë prapa transmetuesve Wi-Fi. Njëkohësisht, rrjetet e sotme të energjisë elektrike përdorin kabllot me fibra optikë për mbikëqyrje, tokëzim, kontroll dhe monitorim të sistemit.  Është praktikë standarde për këto kabllo me fibra optikë që të funksionojnë përkrah infrastrukturës së transmetimit të energjisë (shih në foton më poshtë).

Megjithatë, këto kabllo shpesh vijnë me më shumë kapacitet sesa nevojitet për kompanitë e energjisë elektrike, të cilat zakonisht shfrytëzojnë  vetëm rreth 10 për qind (shih fotot). Kjo do të thotë se ato kanë kapacitet të pashfrytëzuar që mund të ndahet (ose të shitet) nëpërmjet marrëveshjeve tregtare për ofruesit e shërbimeve të internetit. Është një partneritet i mirë - kompanitë energjetike krijojnë një burim të ri të të hyrave për të njëjtën bazë të aseteve, ndërsa ofruesit e shërbimeve të internetit mund ta zgjerojnë shtrirjen e tyre me çmim të lirë. Kjo gjithashtu ua mundëson ofruesve të rinj dhe më të vegjël të shërbimeve të internetit të hyjnë në treg, duke përmirësuar konkurrueshmërinë e përgjithshme të sektorit.

Ky koncept nuk është i ri. Ai ka pushtuar vendet e zhvilluara që nga paraqitja e telekomunikimeve. Në vendet me të ardhura më të ulëta, ndarja e pajisjeve pasive - siç janë kullat, tubat dhe shtyllat e betonit - ka marrë hov për shkak të detyrimeve të vendosura nga rregullatorët e komunikimeve elektronike për të nxitur zhvillimin e sektorit të telekomit. Megjithatë, ndarja e pajisjeve aktive, siç është kapaciteti rezervë i fibrave optikë të kompanive energjetike, mbetet në fazat e hershme.

Ngadalësia e sektorëve të energjisë dhe telekomit për të përqafuar ndarjen e infrastrukturës së pajisjeve aktive rrjedh nga faktorët rregullatorë dhe mungesa e kapaciteteve dhe/ose vetëdijesimit: 
  • Barrierat rregullatore parandalojnë kompanitë e energjisë, veçanërisht operatorët e transmetimit të energjisë elektrike, që të komercializojnë asetet e tyre të telekomit. Nga ana tjetër, edhe stimujt e pamjaftueshëm rregullatorë mund të kufizojnë veprimet në këtë drejtim.
  • Kompanitë e sektorit të energjisë nuk kanë njohuri se si të merren me sektorin e telekomit dhe nuk e çmojnë plotësisht shkallën e kthimit komercial dhe social të ofrimit për shfrytëzim të infrastrukturës së tyre.
Gjatë më shumë se pesë viteve të punës në këtë çështje në Ballkanin Perëndimor, ne kemi mësuar se çka është e nevojshme për ta inkurajuar këtë partneritet. Për nder të “Ditës Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit”, po ndajmë këtu tri mësime kyçe:
  1. Ofruesit e shërbimeve të internetit janë aleatë të natyrshëm; komunikoni me ta më shpesh. Ofruesit e shërbimeve të internetit përfitojnë nga aktivitetet e shfrytëzimit të përbashkët të infrastrukturës përmes qasjes në më shumë kapacitete të fibrave optike. Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST) të energjisë që duan të zhvillojnë praktikën e ndarjes së infrastrukturës duhet ta kuptojnë tregun e ofruesve të shërbimeve të internetit, duke matur kërkesën e tyre për asetet rezervë të fibrave optike për të përcaktuar sa është mundësia potenciale. Paralelisht, ofruesit e shërbimeve të internetit  duhet të informohen në mënyrë konsekuente në lidhje me procesin shfrytëzimit të përbashkët të infrastrukturës: politikat përkatëse dhe/ose ndryshimet rregullatore që mund të paraqiten ose ndryshimet e mundshme (për shembull, një njësi biznesi e re) brenda OST-së për ta trajtuar këtë shërbim të ri.
  2. Përqendrimi në tërësinë e situatës. Nuk duhet të jetë aspak e çuditshme që OST-të, të cilat përballen me probleme të përditshme të furnizimit me energji elektrike, nuk nguten të angazhohen në ndarjen e infrastrukturës. Për ta, energjia është biznesi i tyre primar dhe ata ngurrojnë të largohen nga zonat e tyre të rehatisë duke u futur në biznesin e telekomit. Të gjitha të hyrat nga aktivitetet e ndarjes së infrastrukturës mbase do të jenë margjinale në fazat e para, krahasuar me ato nga furnizimi me energji elektrike. Prandaj, çdo strategji fillestare për t’i bindur operatorët e sistemit të transmetimit të energjisë duhet të përqendrohet drejt krijimit të të kuptuarit më të plotë se si ndarja e infrastrukturës mund të ndihmojë në zvogëlimin e hendeqeve të qasjes digjitale dhe të mbështesë transformimin digjital. Asnjë vend nuk është imun ndaj mangësive në infrastrukturën digjitale. 
  3. Më mirë të tregohet një herë sesa të përshkruhet njëqind herë. Gjatë viteve 2014-2016, Banka Botërore, e përkrahur me një grant nga Instrumenti Këshillues për Infrastrukturë Publike-Private (PPIAF), ofroi mbështetje në formë të këshillave për OST-në e Kosovës, KOSTT SH.A., për të funksionalizuar qasjen ndaj ndarjes së infrastrukturës.  Asistenca teknike arriti synimin e saj: në 2017, KOSTT-i nënshkroi kontratën e parë dhe pas një gjysmë viti edhe kontratën e dytë. Që atëherë, gjithsej, rreth 10 për qind e rrjetit optik të KOSTT-it, rreth 100 kilometra, është komercializuar nga katër operatorë. Tani kur reflektojmë rreth këtij suksesi, shohim se çelësi ishte organizimi i një vizite dy kompanive holandeze (Relined B.V. dhe Novec B.V.) për të mësuar nga përvoja e tyre. Drejtuesit e lartë kosovarë u impresionuan me mënyrën se si këto kompani u angazhuan në ndarjen e infrastrukturës si pjesë e misionit të tyre social. Menjëherë pas kësaj, Bordi i KOSTT-it mori vendimin strategjik për ta bërë kompaninë të parën ndërmarrje publike Kosovare që ofron shërbime të fibrave të errëta në tregun e telekomunikacionit.
Sapo të kuptohen, përfitimet nga ndarja e infrastrukturës janë të dukshme për të gjitha palët. Kompanitë e energjisë përmirësojnë performancën e tyre të gjithmbarshme financiare me hapjen e linjës së re të biznesit duke përdorur asetet ekzistuese. Kjo rrjedhë e freskët e parasë mund të përdoret për të subvencionuar qasjen në energji për konsumatorët e rinj ose për të përmirësuar shërbimet për ata ekzistues. Operatorët e telekomit përfitojnë nga kostot ndjeshëm më të ulëta të vendosjes së rrjetit, që u mundëson atyre të arrijnë në zona që më parë ishin të paarritshme për shkak të kostos. Së fundmi, qytetarët përfitojnë nga lidhja më e mirë me brezin e gjerë frekuencor dhe, në disa raste, nga tarifat më të ulëta të energjisë elektrike.

Për më shumë informacion mbi shfrytëzimin e përbashkët të infrastrukturës ndërsektoriale, shih këto burime:

Nisma për Autostradën Digjitale të Ballkanit 

Veglëria për Ndarjen Ndërsektoriale të Infrastrukturës

Blog: Energjia elektrike dhe interneti: dy tregje, një mundësi e madhe

Blog: Tani që ka një Autostradë të të Dhënave të Baltikut, kur do ta kemi një për Ballkanin?
 

Add new comment