Ballkani shpesh ngjall imazhe konflikti dhe fragmentimi. Por në frontin digjital, shtetet në mbarë Evropën Juglindore po punojnë së bashku që të ndërtojnë një rrjet të fuqishëm brezgjerë që lidh me miliona qytetarë – duke ndihmuar në nxitjen e rritjes ekonomike dhe inovacionit.
Këtë e kam parë me sytë e mi përmes Nismës për Autostradën Digjitale Ballkanike, një projekt bashkëpunues i mbështetur nga Banka Botërore. I lansuar në vitin 2017, projekti mbështet zhvillimin e kornizave rregullatore që mundësojnë ndarjen e infrastrukturës në mbarë rajonin. Në mënyrë të veçantë, ai u lejon operatorëve të sistemit të transmisionit – subjektet përgjegjëse për operimin, mirëmbajtjen dhe zhvillimin e rrjeteve të transmisionit të energjisë elektrike me tension të lartë – të ndajnë infrastrukturën e tyre fizike për të përmirësuar lidhshmërinë digjitale.
Procesin e prijnë shtetet baltike
Vlerën e kësaj qasje e kam përjetuar në vendin tim, Lituani. Rreth 10 vjet më parë, tri shtetet baltike (Estonia, Letonia dhe Lituania) iniciuan projektin për Autostradën Digjitale Baltike për të lidhur rrjetet e tyre brezgjera dhe qendrat e të dhënave me qendrën e të dhënave të Evropës Perëndimore. Kjo nismë ishte pioniere e ndarjes së infrastrukturës duke vendosur kabllo me fibër optike me kapacitet të lartë mbi linjat e tensionit të lartë në pronësi të kompanive të energjisë, duke krijuar një sistem infrastrukturor rajonal që i përmirësoi shërbimet brezgjera.
Unë dhe kolegët e mi menduam se rajoni i Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – mund të përfitonin shumë nga një nismë e ngjashme. Harmonizimi i rregulloreve të telekomunikacionit me standardet e BE-së veç ishte duke u zhvilluar dhe kompanitë energjetike zotëronin asete me fibra optike që mund të reduktojnë kostot e rrjetit brezgjerë dhe të zgjerojnë shërbimet digjitale në zonat rurale. Unë dhe kolegia ime Zhenia Viatchaninova ndamë mendimet tona për këtë në një postim në blog shtatë vjet më parë, kështu që është kënaqësi ta shohim se këto ide kanë dhënë fryte në mbarë Evropën Juglindore.
Shtylla kurrizore digjitale
Ajo që ne kemi mbështetur për Ballkanin Perëndimor është krijimi i “shtyllës kurrizore digjitale”, infrastrukturës së rrjeti që lejon transmetim të të dhënave në distanca të pamata dhe me shpejtësi të lartë. Sistemi përdor kabllot me fibra optike për lidhje të shpejta dhe të besueshme në internet, të cilat u duhen qeverive, bizneseve, institucioneve arsimore dhe publikut për të funksionuar. Në botën moderne, teknologjia digjitale është parakusht për zhvillimin ekonomik.
Sistemet e forta digjitale forcojnë sigurinë kombëtare, reziliencën ndaj goditjeve dhe bashkëpunimin rajonal. Në mënyrë kritike, ato ndihmojnë në kapërcimin e ndarjes digjitale duke i bërë shërbimet jetike digjitale të disponueshme për të gjithë.
Por zhvillimi i një sistemi të tillë digjital në mbarë Ballkanin Perëndimor është përballur me pengesa të shumta. Së pari, ndërtimi i një shtylle kurrizore digjitale është i shtrenjtë: qeveritë nuk i kanë resurset e nevojshme, kështu që është esencial financimi nga sektori privat. Së dyti, infrastruktura ekzistuese e telekomunikacionit është e copëtuar dhe e pamjaftueshme për një sistem modern digjital rajonal. Ndarja e infrastrukturës mund ta përshpejtojë zhvillimin e rrjeteve digjitale duke i reduktuar ndjeshëm kostot dhe ndikimet mjedisore, duke paraqitur përfitime shtesë për çdo vend që i merr seriozisht ndryshimet klimatike. Së treti, barrierat rregullatore brenda rajonit e bëjnë të vështirë vendosjen e një sistemi të unifikuar digjital. Standardizimi i rregulloreve brenda rajonit - dhe me Evropën - është me rëndësi vendimtare.
Nisma për Autostradën Digjitale Ballkanike
Në avancimin e përpjekjeve drejt krijimit të një shtylle kurrizore digjitale, mbështetja e Instrumentit Këshillues për Infrastrukturën Publike-Private (PPIAF) ka mundësuar infrastrukturën digjitale përmes hartëzimit, analizimit të legjislacionit dhe zhvillimit të qasjeve rajonale për ndarje të infrastrukturës. PPIAF ka ofruar edhe një platformë bashkëpunimi për qeveritë, operatorët e sistemit të transmisionit dhe palët e tjera të interesit për angazhim me njëri-tjetrin.
Progresi veç është i prekshëm. KOSTT, operatori i pavarur i sistemit të transmisionit të energjisë në Kosovë, e ka komercializuar rrjetin e vet me fibra optike dhe planifikon t’i modernizojë pajisjet e veta të telekomunikacionit. MEPSO, operatori shtetëror i sistemit të transmisionit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut, e ndryshoi ligjin e vendit për energjinë për të mundësuar ndarjen e infrastrukturës. Në vitin 2022, përfundoi modernizimin e rrjetit të telekomunikacionit dhe planifikon ta lidhë atë me Shqipërinë dhe Greqinë. Me mbështetjen e Bankës Botërore, Shqipëria operacionalizoi ndarjen e infrastrukturës në vitin 2020 dhe lidhi marrëveshjet e para komerciale. Kurse operatori (CGES) i Malit të Zi i ka ulur çmimet e shërbimit dhe është në rrugën e duhur drejt modernizimit të rrjetit të vet të telekomunikacionit për të përmirësuar efiçiencën dhe efektshmërinë për klientët e vet.
Por arritja më e madhe përmes PPIAF është që lojtarët rajonalë të ulen në të njëjtën tryezë dhe të bashkëpunojnë. Siç më tha një përfaqësues nga MEPSO, “Problemi më parë ishte se ne nuk ishim takuar kurrë për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim digjital”. Tanimë, palët e interesit në mbarë rajonin kanë zhvilluar lidhje personale, duke stimuluar ndarjen e informacionit dhe shkëmbimin e njohurive, ndërkohë që shtetet baltike kanë siguruar këshilla jetike dhe akterët fqinjë nga Italia, Greqia, Rumania dhe Bullgaria shprehën interes për pjesëmarrje.
Teksa mbetet shumë për t’u realizuar, kjo nismë hedh themelet për një të ardhme të ndritur digjitale që premton rezultate reale për qytetarët dhe bizneset. Ajo gjithashtu përputhet mirë me prioritetet e BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur përpjekjet e BE-së për të përmirësuar zhvillimin ekonomik dhe social në rajon, si dhe duke nxitur përfundimisht integrim më të mirë me Evropën. Projekti është gjithashtu lehtësisht i replikueshëm. Me mbështetjen e Partneritetit për Investime për Infrastrukturën e Cilësisë (IIC), Banka Botërore po shikon mundësitë ta zgjerojë programin në Azinë Qendrore. Shpresoj që vendet e Ballkanit Perëndimor të ofrojnë mentorim të ngjashëm në rajone të tjera që kanë të njëjtin qëllim për ndërtimin e shtyllave kurrizore digjitale për ta mbështetur zhvillimin e tyre.
Join the Conversation