Published on Eurasian Perspectives

Gratë dhe punësimi në sektorin e ndërtimit në Shqipëri – ngushtimi i hendekut gjinor

This page in:
Woman Transport Albania 700

Projektet e reja infrastrukturore sjellin zakonisht një rritje të kërkesës për krah pune e kualifikim, duke krijuar mundësi të reja punësimi në sektorin e ndërtimit. Në Shqipëri, zbatimi i një sërë projekteve infrastrukturore përbën një lajm të mirë për ekonominë e vendit, por, po kështu, ato paraqesin një mundësi për rritjen e pjesëmarrjes së grave në një sektor të dominuar gjerësisht nga meshkujt. Sipas studimit tonë, gratë që aktualisht punojnë në sektorin e ndërtimit në Shqipëri janë vetëm 3%.

Shqipëria ka shumë për të përfituar nga trajtimi i hendeqeve gjinore në industrinë e saj të ndërtimit, aq më tepër, përfitime makroekonomike nga pjesëmarrja më e madhe e femrave në forcën e punës. Duke pasur parasysh mungesën e aftësive në sektor, përmirësimi i ekuilibrit gjinor në forcën e punës mund t’i ndihmojë kompanitë të përmbushin më mirë nevojat e tyre për personel.

E pranojmë, rruga përpara nuk është e lehtë. Do të duhen burime njerëzore e financiare të konsiderueshme, përkrah një bashkëpunimi të ngushtë mes një game të gjerë aktorësh, përfshi institucionet e arsimit të lartë e profesional, bashkitë, agjencitë vendore të punësimit, qendrore, partnerët për zhvillim dhe sektorin privat.

Një Vlerësim Gjinor që pritet të dalë, financuar nga Fondi për ndërtimin e shtetit dhe paqes dhe kryer me mbështetjen e Fondit Shqiptar, eksploron pjesëmarrjen e grave në ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri dhe ofron këndvështrime të thelluara me interes rreth hendekut gjinor në vend.

Për shembull, femrat përbëjnë vetëm një të tretën e të diplomuarve nga degët e arsimit të lartë për inxhinieri, prodhim e ndërtim. Shumë pak gra regjistrohen në arsimin profesional, që përcakton konsiderueshëm rezultatet e punës në sektorin e ndërtimit. Një nga arsyet kryesore për këtë është stereotipi mbizotërues i atyre që konsiderohen si “punë për gra” dhe “punë për burra”.

Ndërkohë që burrat janë të punësuar në një gamë të gjerë pozicionesh në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, gratë janë kryesisht të punësuara në fushën e inxhinierisë dhe kontabilitetit. Përgjithësisht, hendeku gjinor në pagesë është 14% në favor të burrave.
Rekrutimi në kompanitë private, zakonisht, bëhet përmes rrjeteve informale, që përfshijnë vetëm burrat. Përveç kësaj, bashkëpunimi është i pakët midis institucioneve arsimore dhe bizneseve, duke sjellë si rezultat shumë pak mundësi për praktika profesionale apo rekrutim për studentet dhe të diplomuarat femra.

Javën e kaluar, në një takim të përbashkët pune midis Bankës Botërore dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit në Tiranë ndamë mësimet kryesore nga Vlerësimi Gjinor me partnerët për zhvillim, kompanitë private të ndërtimit dhe bashkitë. Po kështu, ne diskutuam disa prej koncepteve të gabuara gjinore që janë të zakonshme në Shqipëri.

Për shembull, koncepti i gabuar se gratë nuk duan të punojnë në sektorë të mbizotëruar nga meshkujt, si ai i ndërtimit. Në fakt, statistikat e burimeve njerëzore nga shoqëritë e mirëmbajtjes së rrugëve në mbarë Shqipërinë dëshmojnë të kundërtën.

Nëse do të flasim në përgjithësi, sektori publik ofron më shumë siguri pune për gratë, sesa sektori privat. Ai ofron kontrata më të rregullta, sigurime shoqërore dhe orare pune më të volitshme. Në Shkodër, për mirëmbajtjen e rrugëve është kontraktuar një shoqëri private, ku nuk ka asnjë grua të punësuar. Nga ana tjetër, në Pogradec, mirëmbajtja e rrugëve mbikëqyret nga bashkia dhe 57% e punonjësve të mirëmbajtjes janë femra.

Kështu, kur ekzistojnë kushtet e stimujt e duhur, gratë janë po kaq të gatshme sa burrat për të punuar në sektorin e ndërtimit. Kjo vlen posaçërisht në zonat rurale, ku shpesh nuk ka mundësi të tjera për të fituar të ardhura, përveç bujqësisë për të siguruar jetesën.

Në takimin e Tiranës diskutuam një sërë nismash që mund të nxitin qasjen në punësim të grave në sektorin e ndërtimit. Këto ide përfshinë trajtimin e stereotipave gjinore (që kanë ndikim të madh në zgjedhjet arsimore që bëjnë gratë dhe burrat), përmirësimin e çështjeve të shëndetit dhe sigurisë në vendin e punës dhe rritjen e kapaciteteve të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të pasqyruar sistematikisht konsideratat gjinore në hartimin e projekteve të tyre infrastrukturore.

Ndokush mund të argumentojë se do të ishte e pamundur të luftoheshin stereotipat gjinore që janë ngulitur thellë në këtë sektor të mbizotëruar tradicionalisht nga meshkujt. Ne besojmë se, natyrisht, është një sfidë, por jo e pamundur.

Për ta ilustruar këtë, dëgjuam rreth Policisë shqiptare të Shtetit, një sektor tradicionalisht i dominuar prej meshkujve, e cila ka arritur rezultate të larta mbresëlënëse, pas promovimit të grave në role komandimi në terren dhe me zbatimin e një politike kundër çdo lloj ngacmimi në vendin e punës.  

Projektet infrastrukturore në Shqipëri, si ato aktuale, ashtu edhe të ardhmet, ofrojnë një mundësi të jashtëzakonshme për të hapur më shumë vende pune e për të rritur ekonominë lokale, por, me po kaq rëndësi, është edhe ofrimi i mundësive të barabarta të punësimit si për gratë, ashtu edhe burrat.
--------------------------------------------------------------- 
Vlerësimi Gjinor do të jetë publik në fund të shkurtit 2019.



 

Authors

Nato Kurshitashvili

Senior Gender Specialist

Join the Conversation

The content of this field is kept private and will not be shown publicly
Remaining characters: 1000