Published on Eurasian Perspectives

Si mund ta përkrahin investimet gjeohapësinore reagimin dhe rimëkëmbjen e Kosovës ndaj COVID-19

This page in:
Geospatial investments in Kosovo can help COVID-19 response and recovery Geospatial investments in Kosovo can help COVID-19 response and recovery

Me më shumë se tetë miliona raste të COVID-19 në mbi 200 shtete, pandemia e Koronavirusit ka bërë kërdi në jo vetëm sistemet shëndetësore, por në ekonomitë e tëra. ‘Mbyllja e madhe’, siç po quhet, tashmë ka rezultuar në papunësi rekorde dhe ekonomistët tani po parashikojnë se të ardhurat globale do të tkurren për 3 për qind, tkurrje e cila ia kalon Recesionit të madh 2008-2009 dhe i bëhet rival i Depresionit të Madh.

Efektet e ashpra të Koronavirusit të ri do ta godasin edhe ekonominë e Kosovës - ku BPV e shtetit tani pritet të tkurret me 4.5 për qind në vitin 2020, një përmbysje e parashikimeve para-pandemike të rritjes prej 4 për qind. Çka është edhe më keq, remitencat, të cilat përbëjnë afërsisht 10-12 për qind të BPV-së së Kosovës dhe kanë vepruar tradicionalisht si një jastëk kundër-ciklik, gjithashtu mund të pakësohen, duke pasur parasysh natyrën globale të krizës.

Ajo që shtrirja e krizës së COVID tregon është se investimet që synojnë reagimin dhe reziliencën mund të vazhdojnë njëkohësisht duke shpëtuar jetën përmes kufizimit të përhapjes së sëmundjes, dhe të standardit jetësor përmes zbutjes së tronditjeve negative ekonomike. Ndërsa investimet në kujdesin shëndetësor janë të dukshme, investimet gjeohapësinore, siç janë ato të planifikuara në Kosovë nën financimin e Bankës Botërore Projekti për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeohapësinore (REGIP) - janë gjithashtu kritike, pasi ato mund të përkrahin sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë kujdesin shëndetësor.

 

Geospatial investments in Kosovo

 

Infrastruktura e pjekur e të dhënave hapësinore (SDI) është thelbësore sepse i bashkon dhe i analizon kohën dhe lokacionin, dy faktorë vendimtar në çdo reagim ndaj krizës, që është veçanërisht e rëndësishme kur jeta është në rrezik për shkak të një virusi respirator shumë ngjitës. Një sistem tipik, i pjekur SDI, inkorporon një gamë të qartë të faktorëve në analizën e tij, përfshirë qeverisjen e mirë dhe politikat, standarde të ndryshme, grumbuj të pasur të të dhënave gjeohapësinore, kapacitetin njerëzor dhe institucional, kohën dhe të tjera. Sidoqoftë, një SDI e thjeshtë, siç është një gjeoportal me të dhëna themelore për lokacionin, gjithashtu mund të jep përkrahje praktike për përpjekjet në reagim ndaj COVID dhe t’i hap rrugën infrastrukturës më të sofistikuar të informacionit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Shumë shtete janë mbështetur në SDI në luftën e tyre kundër COVID. Republika e Koresë, një shembull kryesor, ka bërë punë të mirë në kufizimin e përhapjes së COVID duke shfrytëzuar të dhënat e saj gjeohapësinore, të ngulitura brenda dhe jashtë sistemit të saj shëndetësor. Gjurmimi me GPS i telefonave dhe automjeteve, krahas regjistrave të të dhënave të thirrjeve dhe informatave të transaksioneve të kartelave të kreditit, ishte e dobishme në gjurmimin e kontakteve dhe këputjen e zinxhirit të ngjitjes. Për më tepër Koreja përfiton nga një infrastrukturë gjeo-hapësinore të gjerë dhe plotësisht të integruar. Ministria e Tokës, Infrastrukturës dhe Transportit (MTIT), Ministria e Shkencës dhe TIK (MSIT) dhe Qendra Koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (KCDC) operojnë me një sistem të përkrahjes së hetimit epidemiologjik të diagnostikimeve COVID-19 duke përdorur teknologjinë e mençur të qytetit - “Smart City Data Hub” e cila u krijua bashkërisht nga MTIT dhe MSIT.  Portali Kombëtar i Informacionit Hapësinor Korean është shtylla kryesore e infrastrukturës së informacionit të këtij sistemi dhe siguron se të dhënat ndahen në aso mënyre që e lehtëson gjurmimin e kontakteve në kohë reale, mundëson parashikimet se ku ka gjasa të krijohen vatrat, dhe kështu informon zbarkimin e resurseve.

Projekti REGIP i Kosovës, i cili është në pritje të ratifikimit parlamentar, planifikon përkrahjen e zhvillimit të SDI-së së re të Kosovës përgjatë linjave të ngjashme duke investuar në grumbujt e të dhënave rreth prioriteteve ekonomike për Kosovën, duke përmirësuar Gjeoportalin Shtetëror për ta sjellë atë në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke siguruar ndërveprimin e portalit me grumbujt e të dhënave prioritare për ta mundësuar shkëmbimin e shpejtë të të dhënave dhe ruajtjen e privatësisë së të dhënave. Këto investime mund t’i përkrahin përpjekjet e reagimit ndaj COVID duke e bërë të mundur parashikimin vatrave, duke mundësuar që përgjigjet e kujdesit shëndetësor dhe të rrjeteve të sigurisë sociale të arrijnë tek ata që kanë më së shumti nevojë. Në periudhën afatmesme, këto investime gjithashtu mund ta ndërtojnë reziliencën e Kosovës ndaj çdo vale të mëvonshme të COVID derisa vaksina të bëhet e disponueshme. Rezilienca më e lartë do të përkthehej në ndikime më të ulëta ekonomike. Për më tepër, bërja e Gjeoportalit ndërvepruese me disa prej grumbujve ekzistues të të dhënave, si regjistri civil, regjistri i adresave dhe regjistri social, mund ta lehtësonte shpërndarjen më të shpejtë të ndihmës qeveritare për qytetarët e cenueshëm.

Në periudhën afatmesme gjer afatgjatë, investimet gjeohapësinore të Projektit REGIP gjithashtu mund të shërbejnë si një levë e rëndësishme për rimëkëmbjen ekonomike. Studimet tregojnë se përfitimet e pritura të informacionit gjeohapësinor kanë tendencë të jenë afërsisht 3.2 herë më të mëdha sesa investimet fillestare. Përfitimet nxiten nga fakti se ndarja në kohë reale e grumbujve të të dhënave të ndryshme gjeohapësinore mund të sigurojë informatë të vlefshme, ta përmirësojë cilësinë dhe shpejtësinë e vendimmarrjes dhe t’i zvogëlojë kostot e dyfishta të grumbullimit të të dhënave nëpër agjenci të ndryshme qeveritare.

Për shembull, disponueshmëria e të dhënave për pronësinë e tokës mund ta shpejtojë krijimin e një fabrike, dhe qasja në të dhëna për lartësinë mbidetare mund të sigurojë se objekti i ri ndërtohet në lokacione të sigurta, larg zonave ku ka tendencë të rrëshqitjes së dheut ose përmbytjeve, gjë që mbron jetën dhe mbron mirëqenien ekonomike kundër katastrofave të ardhshme. Sektori privat mund të përfitojë edhe nga qasja në të dhëna të hapura ose të dhëna të hapura API që mund të ndihmojnë në uljen e kostos së shërbimeve ekzistuese ose nga lancimi i shërbimeve të reja pasi bizneset të fitojnë qasje në të dhëna për klientët, tregjet, zinxhirët e furnizimit, etj.

Investimet gjeohapësinore paraqesin përfitime afatshkurtra dhe afatgjata në reagimin e Kosovës ndaj krizës COVID dhe planeve për rimëkëmbje ekonomike që do të pasojnë. Si partner i zhvillimit të Kosovës, ne në Bankën Botërore i mbetemi të përkushtuar lehtësimit të investimeve të rëndësishme në infrastrukturë dhe praktikave më të mira ndërkombëtare për ta përkrahur Kosovën gjatë krizës COVID me 14.6 miliona € në dispozicion sapo të ratifikohet projekti REGIP.


Authors

Join the Conversation

The content of this field is kept private and will not be shown publicly
Remaining characters: 1000