Maskat, radhët e gjata jashtë dyqaneve dhe mbajtja e distancës sociale janë kthyer tashmë në normalitetin e ri. Krahas mijëra njerëzve që janë sëmurur dhe kanë humbur jetën, pandemia e COVID-19 ka pasur një efekt të rëndë edhe te miliona persona, të cilët kanë humbur punën dhe, për rrjedhojë, mjetet e jetesës. Kjo vlen sidomos për grupet më të cenueshme, të cilat edhe më parë përballeshin me shkallë të lartë diskriminimi dhe përjashtimi që përpara krizës aktuale.
Në Ballkanin Perëndimor jemi të gjithë të vetëdijshëm për risqet e përjashtimit të romëve, personave me aftësi të kufizuara, si edhe të personave lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë dhe interseksualë (LGBTI). Gjasat janë që këto pabarazi, të cilat ekzistonin edhe më parë, të jenë përkeqësuar nga pandemia, duke ua vështirësuar edhe më shumë këtyre grupeve marrjen e shërbimeve me rëndësi kritike, si kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja sociale. Nëse nuk tregojmë kujdes që këto probleme të trajtohen në kuadër të kundërpërgjigjes ndaj COVID-19, rrezikojmë ta thellojmë hendekun ekzistues në shëndetësi, arsim dhe punësim.
Banka Botërore, së bashku me Bankën Aziatike për Zhvillim (BAZH), Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Ndëramerikane për Zhvillim (BNAZH) kanë organizuar një sërë diskutimesh online në përkujtim të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (DNHTB). Ndërsa ndikimet e kundërpërgjigjes ndaj COVID-19 kanë mbizotëruar si temë në diskutimet me partnerët për zhvillim, përfaqësuesit e qeverisë, akademikët dhe aktivistët LGBTI, tema e cila i ka përshkuar të gjitha këto diskutime ka qenë nevoja për të dhëna të detajuara sipas orientimit seksual dhe identitetit gjinor, për të kuptuar dhe trajtuar më mirë përjashtimin shoqëror dhe ekonomik të personave LGBTI.
Në Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore ka qenë ndër të parat që ka mbledhur të dhëna të detajuara sipas orientimit seksual dhe identitetit gjinor (OSIGJ). Nga këto, por edhe nga studime të tjera, e dimë se personat LGBTI në mbarë rajonin përballen me nivele të larta diskriminimi, përjashtimi dhe dhune. Një e treta e personave LGBTI që kemi anketuar kanë qenë viktimë e dhunës dhe transgjinorët janë më të cenueshmit, ku më shumë se një e dyta e tyre thonë se kanë qenë viktimë e dhunës.
Këto të dhëna kanë qenë sidomos të dobishme për të kuptuar më mirë ndikimet që mund të ketë pandemia COVID-19 te pakicat seksuale dhe gjinore: 12 për qind e personave LGBTI që kemi anketuar nuk e kanë kërkuar trajtimin e nevojshëm mjekësor për shkak të frikës së diskriminimit nga ana e personelit mjekësor. Në Serbi, studimet tona kanë konstatuar se vetëm një e treta e pjesëmarrësve në anketën me LGBTI e vlerësojnë të mirë shëndetin e tyre, në krahasim me 55 për qind të popullatës gjithsej. Edhe në këtë rast, transgjinorët janë në një situatë më të keqe, duke qenë se vetëm 18 për qind e vlerësojnë si të mirë shëndetin e tyre. Vetëvlerësimi i shëndetit si i keq ose shumë i keq rritet në mënyrë progresive te personat LGBTI, të cilët vuajnë nga privime materiale (11 për qind), privime të rënda materiale (14 për qind) dhe privime të skajshme materiale (20 për qind) në krahasim me 5 për qind për kampionin total LGBTI.
Këto, por edhe të tjera të dhëna, janë ndihmë për ne dhe për klientët tanë, për të ndërtuar komunitete më përfshirëse dhe më të forta, sidomos në kundërpërgjigjen ndaj pandemisë së COVID-19 dhe pasojave të saj shoqërore dhe ekonomike në rajon. Banka Botërore vijon të jetë e angazhuar për eliminimin e hendekut në të dhënat e detajuara sipas orientimit seksual dhe identitetit gjinor dhe jam shumë e kënaqur që do ta vazhdojmë punën tonë në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes studimit mbi kostot ekonomike të përjashtimit sipas orientimit seksual dhe identitetit gjinor në Serbi.
Join the Conversation