Gjithçka filloi në korrik 2015 teksa pinim nga një makiato në qendër të Prishtinës. Isha takuar me Besa Zogaj Gashin - asokohe Zëvendës Ministre e Zhvillimit Ekonomik dhe tani Udhëheqëse e një qendre studimore që përqendrohet në të ardhmen e Kosovës - e cila dëshironte të diskutonte disa mënyra për t’i mbështetur më mirë gratë përmes TIK-ut. Biseda po bëhej në kohën e duhur, sepse disa ditë më parë Ministri i Financave i kishte kërkuar ekipit tim një elaborat strategjik në lidhje me “investimet e buta” për të plotësuar Projektin e Ekonomisë Digjitale të Kosovës, i cili përqendrohet në zgjerimin e qasjes në internet të shpejtë brezgjerë në zonat rurale.
Ideja po më ziente në kokë, paralelisht me tingullin e aparatit të kafes. Në vitin 2014, kolegët e mi drejtuan me sukses një seri punëtorish në Nigeri për të lidhur rininë lokale me punët digjitale. Pse mos ta pilotojmë një veprimtari të ngjashme këtu? Për kënaqësinë time, Zëvendës Ministrja e përqafoi shpejt idenë, duke u dakorduar për këtë asistencë teknike të “gatuar” aty për aty.
Asistenca teknike - e quajtur Gratë në Punë Online (WoW) - ka trajnuar tashmë mbi 150 gra të reja nga pesë komuna të Kosovës në zhvillim uebi front end, dizajn grafik dhe marketing digjital, në mënyrë që të punojnë në tregun e punëve digjitale. Ajo u financua plotësisht nga Fondi i Mirëbesimit për Rritjen e Gjelbër në Kore.
Menjëherë pas takimit me Zëvendës Ministren, ndesha në menaxherët e Projektit të Bashkëpunimit Zviceran për Rritjen e Punësimit të të Rinjve (EYE), të zbatuar nga HELVETAS-Swiss Intercooperation dhe MDA.
Sërish, filxhani i makiatos pati efektin e vet magjik: akujt u “shkrinë” dhe, pas disa javësh, organizatat tona u dakorduan të bashkojnë forcat në WoW - çka u pasqyrua në një Memorandum Mirëkuptimi në vitin 2016.
Çka janë këta përbërës sekretë në makiatot e Kosovës që u japin fuqinë të ndezin ide?
Që atëherë, ekipi im dhe projekti EYE kanë bashkëpunuar dhe i kanë bashkërenduar me sukses aktivitetet tona në Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2016, projekti EYE siguroi kurse përmirësimi të gjuhës angleze dhe kurse të ndërmarrësisë për të diplomuarat e WoW në kuadër të programit të Bankës. Me kalimin e kohës, EYE e rriti shkallën e WoW edhe në dy komuna të tjera.
Korrikun e kaluar - sërish duke pirë makiato në Prishtinë (!) - ekipet tona përkatëse reflektuan mbi rezultatet e këtij bashkëpunimi mjaft të pazakontë. Në kuadër të programit WoW të Bankës, dy të tretat e të diplomuarave të programit siguruan kontrata pune online dhe gjashtë të diplomuara gjetën punë në tregun vendor në periudhën 2016-2017. Dy vjet më vonë, sipas disa hulumtimeve të shpejta, me ndihmën e Fondacionit Upwork, më shumë se gjysma e të diplomuarave të programit vazhdojnë punën e pavarur në të paktën një platformë madhore, ndërkohë që disa prej tyre kanë arritur suksese të mëdha - përfshirë dy të diplomuara që kanë fituar secila mbi 50,000 dollarë që nga viti 2017 nga kontratat e hyrjes së të dhënave dhe dizajnit grafik.
Në kuadër të Projektit EYE, gratë e trajnuara në WoW vazhduan me një trajnim përcjellës, të quajtur Femrat në Biznes (FIB). FIB ishte rezultat i një vlerësimi të kursanteve të WoW dhe nevojës për të shtuar më shumë shkathtësi të buta dhe kurse të ndërmarrësisë. Trajnimi WoW u përshtat në përputhje me këtë konstatim - duke i bashkuar në një paketë të vetme trajnimi kurset teknike me kurset për shkathtësi të buta dhe për ndërmarrësi.
Projekti EYE vendosi të financojë kohortën e fundit të trajnimit WoW duke shtuar dy komuna të reja dhe duke prezantuar klasa të përbashkëta me gra të reja nga komunitetet etnike shqiptare dhe serbe. Projekti EYE kontribuoi në ndërtimin e kapaciteteve lokale të ofruesve të trajnimeve joformale, çka çoi në përputhjen e menjëhershme të punës në portalet e punës së pavarur online. EYE beson se WoW mund të bëhet i qëndrueshëm me partnerin e duhur si ofrues trajnimi, i cili mund t’ua faturojë trajnimet përdoruesve fundorë dhe, në këtë mënyrë, mund të rriten përfitimet për të rinjtë në mbarë Kosovën.
Piloti i projektit Gratë në Punë Online vërtetoi se puna online ka potencialin për të ofruar mundësi të mëdha për Kosovën - një vend i vogël, pa dalje në det, me një popullsi të re dhe që e njeh teknologjinë. Ai ka potencialin edhe që të sigurojë mënyra të reja për krijimin e vendeve të punës, edhe në zonat më të thella dhe rurale. Ndërkohë, ju ftoj me gjithë zemër t’i provoni makiatot në Kosovë (po, industria lokale e hotelerisë e meriton këtë nxitje, si një burim kryesor i punësimit të rinisë në sektorin e shërbimeve... dhe i ideve frymëzuese)
***
Ky blog u shkrua bashkërisht nga Natalija Gelvanovska-Garcia, Zhenia Viatchaninova Dalphond, dhe Lea Shllaku, Zenebe Uraguchi
Join the Conversation